Mënyra e të ushqyerit dhe flokët

FYTYRA
Typography

Flokë të fortë, më shkëlqim dhe të shëndetshëm.
Me fillimin e sezonit veror, fillojnë edhe shëtitjet buzë detit si dhe frekuentimi i pishinave dhe plazheve. Dielli me rrezet e tij përkëdhel flokët tuaj ndërsa uji i detit dhe pishinës përkëdhel trupat tuaj duke ju dhënë një ndjenjë freskie. Por, në fund të verës ka edhe pasoja siç janë flokët e lodhur, të thatë e të demtuar. A ka ndonjë mënyrë që të na gjej fundi i verës me flokë plot shkëlqim dhe jetë?

Njihni flokun tuaj …

Struktura e flokut tuaj varet nga prodhimi i keratinës, një protein e cila në pjesën më të madhe përbëhet nga cystina e cila është një aminoacid që e bënë flokun jashtëzakonisht të qëndrueshëm dhe elastik.

Vitaminat që rrisin cilësinë e flokëve ...

Vitamina A është një vitaminë që treten në yndyrë dhe gjendet tek mëlçia, produktet e bulmetit, tek sardelet, salmoni, e verdha e vezës. Karroteni është një burim i mirë i vitaminës A dhe gjendet tek karrota, kajsitë, domatet, spinaqi, pjepri, pjeshkët, si dhe në fruta dhe perime të tjera me ngjyrë jeshile të errët ose te kuqe dhe portokalli.  KUJDES! Gjatë tharjes ose vyshkjes prej ushqimeve humbet një sasi e konsiderueshme e Vitaminës A.  

Vitamina C: Është një vitamin e tretshme në ujë, e nevojshme për sintezën e kolagjenit, një antioksidant i fuqishëm, rrit normën e përthithjes së hekurit në zorrë. Ajo gjendet tek frutat dhe perimet e freskëta si speca, lakra, domatja, lulelakra, majdanozi, agrumet, kivi, luleshtrydhja, pjeshket etj. Tek ushqimet me përmbajtje shtazore ndodhet në sasi më të vogël dhe gjatë pasterizimit të tyre një sasi e saj humbet. KUJDES! Përpunimi termik dhe oksidimi e shkatërrojnë vitaminën C.

Vitamina B12: Është e tretshme në ujë dhe merr pjesë në formimin e qelizave të kuqe të gjakut. Puna e qelizave të kuqe të gjakut është transferimi i oksigjenit nga mushkëritë në të gjitha indet e trupit të njeriut, siç janë edhe flokët. Mungesa e vitaminës B12 çon në flokë të ashpër dhe delikatë dhe kjo ndodh për shkak të mungesës së oksigjenit. Burim i kësaj vitamine janë të gjitha produktet e kafshëve, sidomos të brendshmet e tyre, si dhe produktet e qumështit të cilat i janë nënshtruar fermentimit bakteriale.

Zinku: Misioni i zinkut është shumë i rëndësishëm pasi merr pjesë në metabolizmin dhe sintezën e acideve nukleike, proteinave (rol kryesor në sintezën e keratinës), ndikon në zhvillimin dhe funksionimin e mirë të metabolizmit, në përmirësimin e aktivitetit seksual. Mungesa e zinkut mund të ndikojë në humbjen e plotë ose të pjesshme të të gjitha këtyre funksioneve. Ushqimet e pasura me proteina sigurojnë një futje të mjaftueshme të zinkut në organizëm të tilla si frutat e detit, vongolat, të brendshmet, mishi, fiqtë, kërpudhat, drithërat, frutat e thata etj.

Kalciumi: Roli i kalciumit është të ndihmojë rritjen e flokëve pa u këputur dhe pa qënë të ashpra dhe të dëmtuara. Ushqime që janë burim kalciumi janë, djathi, peshku, arrat, qumështi, veza, frutat etj.

Hekuri: është i nevojshëm për të transferuar oksigjenin nga mushkëritë në inde.  Ai gjendet tek perimet me gjethe jeshile, tek spinaqi, frutat e detit, mëlçitë, bishtajoret, fiqtë etj.

Dietat me përmbajtje kalorike të ulët mund të çojnë në dobësimin dhe rëniën e flokëve. E mira është të ndiqni dieta që janë të përgatitura dhe të përshtatshme për ju në mënyrë që mos të përballeni me probleme. Dietat që premtojnë humbjen e shpejtë të shumë kilogramëve (sidomos gjatë verës) mund të çojnë në situata ekstreme dhe pa ju paralajmëruar për pasojat.

Një dietë e ekuilibruar që përfshin të gjitha llojet e ushqimeve, konsumimin e madh të ujit, vaktet e rregullta dhe ushqimet e freskëta (frutat dhe perimet) do të rezultojë e suksesshme  për shëndetin e flokëve tuaj dhe jo vetëm!