Aktiviteti fizik duhet të ushtrohet më tepër gjatë dietës!

AKTIVITETI FIZIK DHE SHËNDETI
Typography

Sa herë mund të keni dëgjuar se ushtrimi i gjimnastikës është i ndaluar gjatë një programi për humbjen e peshës, pasi ajo “ngjesh” dhjamin/ yndyrën dhe e bën më të vështirë humbjen e kilogramëve të tepërt. Ky është ndoshta një nga mitet më të mëdha. Gjimnastika/ aktiviteti fizik jo vetëm që nuk e “ngjesh” dhjamin por njëkohësisht ndihmon në rritjen e sasisë së dhjamit të djegur e si rrjedhojë dhe në humbjen e peshës.

Ajo që mund të vini re (jo të gjithë) është ulja e ritmit të humbjes së peshës, “ngecja” e peshores për disa javë; kjo ndodh ose nga mbajtja e lëngjeve, veçanërisht në qoftë se trupi juaj nuk është i mësuar me aktivitet fizik ose nga rritja e masës së muskujve.

Po në asnjë rast kjo sdo të thotë se dhjami po ngjeshet. Pavarësisht “ngecjes” së peshores, niveli i humbjes së dhjamit kur dieta është e kombinuar me aktivitetin fizik është e njëjtë ose më e madhe se një dietë që nuk është e kombinuar me aktivitet fizik. Yndyra / dhjami zë një vëllim të madh në trup krahasuar me masën e muskujve dhe lëngjeve, ndërkohë peshon më pak se ato. Kështu, ndërkohë që peshorja juaj do tju tregoj të njëjtën peshë, ndryshimi që do të vini re në trupin tuaj do të jetë i mahnitshëm.

Mund të humbisni më shumë perimetër ndërkohë që kombinoni dietën tuaj me aktivitet fizik, ndërkohë që shmangni dhe “lëshimin” e lëkurës.

Përveç përfitimeve të njohura të aktivitetit fizik në shëndetin tuaj, një aktivitet i moderuar fizik ndihmon në rritjen e djegies së kalorive dhe yndyrës, stimulon ndjenjën e vetë-respektit, rrit humorin, rregullon oreksin dhe është një nxitje e madhe për të ndryshuar zakonet e ushqyerjes.

Prandaj mënyra më e mirë dhe më e lehtë për të fituar një trup me formë të mirë është kombinimi i një diete të ekuilibruar dhe një stërvitje të rregullt.

Prandaj shfrytëzoni kohën e lirë për të bërë një shëtitjë në natyrë me këmbë osë bicikletë, vetëm ose me një mikun tuaj. Adhuruesit e detit mund të shfrytëzojnë detin pasi noti është një ushtrim aerobik shumë i mirë dhe pa shkaktuar dëmtime të nyjeve apo probleme të mëtejshme.