Buka e bardhë apo e zezë?

USHQIME ME VLERA TË LARTA USHQYESE
Typography

<!-- [if !mso]> Buka është një burim i rëndësishëm ushqyes për trupin e njeriut. Ajo prodhohet nga drithëra, të cilat përbëjnë bazën ushqimore të shumë popujve. Është një ushqim i përditshëm si për njerëzit dhe për kafshët.

Buka është e pasur me:

Gluten (proteinë), e cila ndihmon në zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemit muskulor.

• Niseshte (karbohidrate) që siguron energji për trupit, që të jetë në gjendje për të përballuar aktivitete të ndryshme.

Celuloz (karbohidrate), e cila është thelbësore për tretjen dhe funksionimin e mirë të zorrëve.

Vitamin E, e cila ka veti antioxiduese, mbanë enët e gjakut të shëndetshme dhe ndihmon riprodhimin.

Kalium, i cili ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit të ujit në qelizat e trupit, është aktivizuesi bazë për një numër të enzimave, ndihmon në stabilizimin e strukturës së brendshme të qelizave të trupit dhe ndihmon gjithashtu në rritjen e rezistencës së muskulit të zemrës dhe të skeletit, për t'i bërë ato më të hapur  ndaj impulseve nervore.

Natrium, i cili ndihmon në transmetimin e impulseve nervore, në ekzekutimin e kontraktimeve të muskujve, në ruajtjen e ekuilibrit të ujit mes qelizave të trupit dhe mjediseve të lëngshme (ashtu si kaliumi), si dhe ndihmon gjithashtu në transportimin e aminoacideve ushqyese dhe glukozës në qelizat e trupit.

Vitamin B (B1, B2, niacin), të cilat janë përgjegjëse për gjendjen e mirë të sistemit nervor, ndihmojnë në tretjen e ushqimit si dhe për gjendjen e mirë të lëkurës.

Më poshtë po rendisim disa lloje  bukësh:

 

Buka e pastër ose e bardhë

 E përgatitur vetëm nga grurë i pastër dhe i bluar mirë.

Bukë gruri ose më krunde

 Ajo vjen nga bluarja e të gjithë kokrrës së grurit (është e pasur me fibra).

Bukë misri

Bukë e përgatitur nga miell misri.

Bukë me fara ose integrale

Përgatitet nga lloje të ndryshme drithërash (grurë, elb, thekër, tërshërë, misër, oriz dhe mel).

Bukë thekre

Është e mirë për diabetikët sepse ka sasi të vogël niseshteje dhe më shumë proteina nga buka e grurit.

Bukë gjermane

Përgatitet nga përzierje drithrash ku dominues është thekra.

 

         Duhet theksuar se kur themi bukë e zezë, në thelb i referohemi bukës me miell të pasitur, të cilit nuk i është larguar krundja (veshja e jashtme e grurit). Si pasojë pyetja është bukë e bardhë apo bukë me miell gruri të plotë, të papastruar?

          Midis bukës me miell të pasitur dhe bukës së bardhë, dietologët zakonisht rekomandojnë të parën. Përsa i takon sasisë së kalorive midis këtyre dy lloje bukësh mund të themi se janë pothuajse të njëjtat. Por epërsia e bukës me miell të pasitur, ose thekre ose bukës integrale (me shumë drithëra) qëndron mbi efektin pozitiv të më shumë fibrave që ato përmbajnë. Por çfarë janë fibrat dhe përse shërbejnë?

          Fibrat janë pjesë e ushqimeve bimore që nuk absorbohen nga trupi dhe ndihmojnë në funksionimin e duhur të zorrëve.

Janë të pasura me celulozë dhe pektin dhe i përkasin karbohidrateve komplekse. Ato gjenden kryesisht në fruta, perime, bishtajore dhe patatet, veçanërisht në lëvozhgën e tyre.

 Ato ndahen në të tretshme (tërshëra, drithëra, bishtajore) dhe të patretshme (buka).

Është vërtetuar se fibrat ndihmojnë kundër kancerit të zorrëve, hemorroideve, kapsllëkut, mbipeshës dhe sëmundjeve të ndryshme të zorrëve, ndihmojnë në uljen e kolesterolit dhe janë të rekomanduara për diabetikët.

         Studimet kanë treguar se ushqimet e pasura me fibra (drithëra, bishtajore, fruta, perime) çojnë në vetë-shkatërrimin e qelizave të kancerit. Së fundmi, ka prova të konsiderueshme se fibra ofrojnë mbrojtje edhe kundër kancerit të gjirit. Madje, për këtë qëllim Instituti Kombëtar Kundra Kancerit në SHBA rekomandon që çdo grua të konsumojë çdo ditë rreth 20-30 gr fibra. Diçka e tillë mund të arrihet nëse ju zëvendësoni bukën e bardhë me bukë me më tepër fibra (miell gruri të pasitur) apo bukë thekre, nëse përfshihni në mëngjesin tuaj konsumimin e më tepër drithërave dhe nëse shtoni në dietën tuaj të përditshme frutat, perimet, bishtajoret.

Për më tepër, fibrat të dobësojnë, pasi duke zënë më tepër vend në stomak të krijojnë ndjesinë e ngopjes, duke kufizuar konsumimin e ushqimeve të tjera.

          Buka e bardhë mund të asimilohet shumë lehtë nga trupi i njeriut, duke çuar në rritjen më drastike të sheqerit në gjak, ndërsa buka me miell të pasitur dhe sidomos buka e thekrës nuk absorbohet lehtë nga trupi duke mos pasur kështu një rritje drastike të indeksit glicemik. Për më tepër buka e bardhë duke u asimiluar lehtë nga trupi i njeriut, të krijon shumë shpejtë ndjesinë e urisë.

       Së fundi, duhet të shtojmë se fibrat veprojë si këmbyes i kationeve duke reduktuar disponueshmërinë e hekurit (Fe), zinkut (Zn), kalciumit (Ca) dhe elektroliteve, e për këtë arsye duhet të konsumohet në sasinë e duhur pa e tepruar.

       Si përfundim, është e rëndësishme  konsumimi i ushqimeve  të pasura me fibra të cilat mund të pengojnë shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme metabolike dhe çrregullimeve të traktit gastrointestinal, ose mund ti përmirësojnë ato. Kështu që preferoni më tepër bukën e zezë dhe varietetet e saj, për të përfituar nga përbërësit e dobishëm, dhe për tu mos u “ngarkuar” me kalori, pasi  vlerat e saj të larta ushqyese  shkojnë në nivele të barabarta me vlerat kalorike të bukës të bardhë.