Siguria e ushqimeve - Sistemi HACCP

SIGURIA E USHQIMEVE
Typography

Artikujt ushqimore janë një pjesë thelbësore në jetën e gjithsecilit dhe kanë një rëndësi të madhe si për nga ana ekonomike ashtu edhe përsa i takon shëndetit dhe sigurisë. Çdo qytetar ka të drejtë të konsumojë ushqime të shëndetshme dhe të sigurta.

Çdo lloj informacioni, që ka të bëjë me përbërjen e ushqimeve, këshillat, procesin e përgatitjes etj, duhet të jetë i qartë dhe i saktë për të lehtësuar kështu konsumatorin që në çdo kohë të gjej çfarëdolloj detaji në lidhje me produktin.

Por për të folur në lidhje me sigurinë ne duhet ta kuptojmë dhe të japim një përkufizim për të. Prandaj, siguria e ushqimeve do të thotë plotësimi i të gjitha termave dhe kushteve, në të gjitha fazat e procesit të prodhimit, nga faza fillestare e marrjes së produktit deri në tryezën e konsumatorit, në mënyrë që të ketë një produkt përfundimtar të shëndetshëm dhe cilësor. Procesi i prodhimit përfshin të gjitha fazat e prodhimit të një produkti nga forma e vet origjinale (fillestare) deri në fazën përfundimtare të konsumit. Ky vëzhgim është shumë i rëndësishme dhe kontrolli duhet të jetë tepër i rreptë për të pasur mundësinë e identifikimit të ndonjë lëshimi ose gabimeve.

Në përgjithësi, duhet të krijohen dhe të respektohen disa parime që lidhen me sigurinë e ushqimeve, të tilla si:

Sigurimi në një nivel të lartë i mbrojtjes së shëndetit të njeriut dhe kafshëve përmes kontrolleve sistematike në të gjithë gjatësinë e zinxhirit ushqimor.

·         "Cilësia" mbi të gjitha. Cilësia dhe siguria janë dy koncepte që shkojnë së bashku. Dallojmë 2 lloje cilësish:

I.             Cilësia e panegociueshme, përsa i takon sigurisë së ushqimeve tona dhe kërkesave për mbrojtjen e mjedisit përreth

II.            Cilësia subjektive që i jep identitet një ushqimi dhe e bën atë unik përsa i takon shijes, aromës, pamjes etj.

 

·        Rivendosja e besimit nga ana e konsumatorit, çka sigurohet përmes kontrolleve të rregullta në të gjitha fazat e prodhimit dhe në përgjithësi nga informacionet e hollësishme që atij i vihen në dispozicion për produktit që do të konsumoj.

·       Analizimi i rreziqeve, vlerësimi i tyre, menaxhimi i tyre dhe informimi në lidhje me to, janë një pjesë e rëndësishme  e sigurisë së ushqimeve, pasi kështu do të kemi një përballje më të lehtë me rastet e shfaqjes së rreziqeve apo problemeve me produktin.

·          Gjithashtu, kompanitë kanë përgjegjësi për sigurinë e ushqimeve dhe në rast rreziku ato marrin të gjitha masat e nevojshme si dhe bëjnë informimin e përgjithshëm në lidhje me të.

·         Së fundi, gjurmimi është një pjesë e rëndësishme e biznesit, sepse kështu gjendet çdo detaj përsa i takon produktit ose informacioni i nevojshëm në rast rreziku.

 Tendenca aktuale në treg është mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve “nga fusha deri në raftet” e supermarketeve. Futja e sistemeve të menaxhimit të sigurisë ushqimore nga produkti fillestar, në industrinë e prodhimit deri në ruajtjen dhe trajtimin e ushqimit, kontribuon ndjeshëm në ruajtjen e shëndetit të konsumatorit dhe rritjen e besimit të tij ndaj ushqimeve në përgjithësi.

 Në mënyrë që të kemi produkte të sigurta është krijuar një sistem që ndihmon kompanitë të shmangin rreziqet. Sistemi HACCP (HAZARD ANALYSIS CRITICAL CONTROL POINTS), ose analiza e rreziqeve dhe pikat kritike të kontrollit është një metodë parandaluese e krijuar për të garantuar sigurinë dhe higjienën e ushqimeve dhe pijeve në të gjitha fazat e prodhimit dhe shpërndarjes.