Kripa në ushqimin e fëmijëve

FËMIJA
Typography

Sëmundjet kardiovaskulare janë cilësuar si shkaku kryesor i vdekshmërisë dhe përbëjnë numrin më të lartë të sëmundjeve. Ndër faktorët më të rëndësishëm të këtij rreziku janë cilësuar hipertensioni, kolesteroli dhe pirja e duhanit. Mes këtyre faktorëve, hipertensioni zë vendin kryesor pasi është përgjegjës për 62% të rasteve të goditjeve cerebrovaskulare dhe 49% të sëmundjeve koronare të zemrës.

 Shkaku kryesor i shfaqjes së hipertensionit arterial është konsumimi i kripës. Kripa çon në mbajtjen e ujit dhe rritjen e tensionit. Rritja e konsumit të kripës ka pasoja negative jo vetëm për rritjen e presionit arterial por edhe për sistemin kardiovaskular dhe veshkat. Gjithashtu ajo është përgjegjëse për mbipeshën, osteoporozën, gurët në veshka dhe është potencial për shfaqjen e kancerit të stomakut.

Sasia maksimale e rekomanduar e marrjes së dozës ditore të kripës është 6 gr për individë normalë dhe <3 gr për njerëzit që vuajnë nga hipertensioni ose sëmundjet kronike të veshkave.

Ushqyerja e shëndetshme që në fëmijëri është guri i themelit për një shëndet të mirë në moshë më të rritur. Përveç kësaj, mbipesha në fëmijëri sjell si pasojë shfaqjen e hipertensionit, diabetit dhe problemeve të tjera shëndetësore. Ky përbën një shqetesim te madh qe është njëkohësisht pasojë e jetës moderne në botën perëndimore.

Por e dimë që një organizëm në zhvillim ka nevojë të marr më tepër substanca të ndryshme dhe natriumi është një elektrolit i rëndësishëm për balancimin e ujit në qeliza por edhe një komponent për kockat, kështu që ushqimi i duhur dhe sidomos marrja e sasisë së duhur të sodiumit përbën një çështje të rëndësishme si nga ana shkencore ashtu edhe për  prindërit të cilët janë të shqetësuar për ushqyerjen e shëndetshme të fëmijëve te tyre.

Është e rëndësishme të dihet se edhe pse shumica e natriumit merret në formën e kripës kërkesat e përditshme të organizmit për të mbulohen plotësisht nga sasia e natriumit që kanë ushqime të ndryshme. Lidhur me të metat e fshehura të natriumit do të diskutohet më poshtë.

 Foshnjat i mbulojnë plotësisht nevojat e tyre ushqimore përmes qumështit të gjirit ose qumështit pluhur të përgatitur posaçërisht për ta. Në muajin e pestë të jetës, fëmijët fillojnë të konsumojnë ushqime të tjera (si p.sh.  supë me perime, supë me leng mishi dhe sup peshku) tek të cilat nuk duhet të shtoni kripë. Sasinë e nevojshme të natriumit fëmija e merr përmes këtyre ushqimeve. Ndërkohë për shijen, nëse fëmija nuk mësohet të konsumojë ushqimet me kripë ai nuk do ti kërkojë ato me kripë. Zakonisht, ushqimet e konservuara për fëmijë, kanë kripë. Mirë do të ishte që ato të shmangeshin. Por në rastet kur konsumimi i tyre është një zgjidhje e nevojshme, nuk duhet të shqetësoheni pasi sasia e kripës është shumë e ulët.

Nga viti i parë i jetës fëmijët hanë së bashku me të rriturit çdo lloj ushqimi që gjendet në tavolinë. Një dietë me sasi të ulët kripe është e rëndësishme të ndiqet nga të gjitha moshat. Pra, të gjithë anëtarët e familjes duhet ta bëjnë zakon konsumimin e ushqimeve me sasi të ulët kripe ose pa kripë fare. Kur fëmijët do të mësohen të konsumojnë ushqime me pak kripë atëhëre ata nuk do ta kërkojnë kripën me tepricë në ushqimet e tyre.

Problemi më i madh shfaqet në fëmijëri dhe adoleshencë, kur fëmija ha ushqime të gatshme. Dihet që patatinat dhe ushqime të tjera të preferuara nga fëmijët kanë shumë kripë. Pak e ditur është se djathrat me pak yndyrë kanë sasi të lartë kripe për ti bërë ato të shijshëm. Salçiçet dhe llojet e sallamrave hyjnë në kategorinë e ushqimeve që kanë shumë kripë. E njëjta gjë vlen për të gjitha ushqimet e paketuara dhe të gatshme. Për adoleshentët, dhe jo vetëm, ushqimet e gatshme dhe të shpejta “fast food” janë kthyer tashmë në një mënyrë jetese. Është vështirë të përcaktohet me saktësi sasia e marrë e natriumit por studimet tregojnë se fëmijët sidomos adoleshentët konsumojnë 3-4 gram më shumë sasi natriumi nga doza ditore që rekomandohet. 

Një problem tjetër i lidhur me sasinë në rritje të kripës në organizëm është  konsumimi në rritje i pijeve freskuese. Kripa shkakton etje. Fëmijët shuajnë etjen e tyre duke pirë pije freskuese, të cilat përmbajnë sheqer, dhe konsumimi i tyre çon drejt mbipeshës. 

 Është vështirë ti bindim fëmijët mos të konsumojnë ushqimet e tyre të preferuara (të tilla si picat, sufllaqet etj) por ata duhet të informohen në lidhje më efektet e dëmshme dhe të paktën të zvogëlojnë sasinë e tyre.

Ushqime të tjera që përmbajnë kripë, përveç atyre që përmendëm janë:  buka, turshitë, ullinjtë, ketchup-i, majoneza, salçiçet, të gjitha ushqimet e konservuara, frutat e thata të përpunuar.

Gjithashtu ndryshon përmbajtja e natriumit edhe në shumë paketime ujrash qe konsumojme. Përqëndrimet e ndryshme të natriumit janë të vogla por marrja e tij në sasi të reduktuar vlen gjithmone.

Baza e edukimit të fëmijëve mbi mënyrën e të ushqyerit është pikërisht familja dhe ky proces duhet të nis që në moshë të vogël. Duhet shumë punë nga prindërit e tyre por njëkohësisht ata duhet të jenë një shembull i mirë për fëmijët. Nëse nuk ka kripë në tryezë fëmija nuk do ta kërkojë atë. Nuk është e nevojshme që ai të blej sandwich apo byreqe për në shkollë ndërkohë që mund të përgatisni diçka në shtëpi me përbërës që mund ti kontrolloni si për sasinë e kripës ashtu dhe për vlerat e tyre ushqyese. Akoma dhe nënat që punojnë gjatë gjithë kohës mund ta gjejnë pak kohë për të përgatitur diçka pasi do të ishte shumë e mirë shmangia e ushqimeve të gatshme dhe të shpejta.

Nga një mënyrë e shëndetshme e të ushqyerit mund të përfitojë e gjithë familja por për fëmijët ky përfitim do të jetë edhe më i madh.