Vitamina D mund të rrisë mbijetesën e pacientëve të prekur nga kanceri i gjirit

SHËNDETI
Typography

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë raportuar se çdo vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth 220.000 gra janë diagnostikuar me kancer gjiri. Në vitin 2013, 230. 815 gra janë diagnostikuar me kancer gjiri dhe 40.860 kanë vdekur nga kjo sëmundje.

Hulumtuesit kanë mbledhur studimet e mëparshme sipas të cilave vitamina D mund të ndihmojë në trajtimin e kancerit. Disa studime kanë sugjeruar se metabolikët aktivë të vitaminës D (calcitriol) mund të kenë veti antikancerogjene. Provat e calcitriol- it tek minjtë kanë treguar se ndalon përhapjen dhe rritjen e qelizave kancerogjene, redukton formacionet e enëve të gjakut të tumorit dhe çon në vdekjen e qelizave kancerogjene.

Pavarësisht faktit se nuk ka ende shumë prova klinike tek njerëzit për të provuar diçka të tillë, disa studime klinike dhe para-klinike tregojnë se plotësimi i mungesave të vitaminës D mund të jetë një mënyrë e sigurt dhe e lirë për parandalimin e kancerit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së pacientëve të diagnostikuar me këtë sëmundje.

Në një studim të ri të udhëhequr nga Dr. Song Yao nga Roswell Park Cancer Institute në New York u analizuan të dhëna nga 1666 femra (mosha mesatare 58.7 vjet) me kancer gjiri. Pacientet kishin marrë pjesë edhe në studimin Pathways të vitit 2006, një studim kohort i të mbijetuarave të kancerit të gjirit të kryera në Kaiser Permanente në pjesën veriore të Kalifornisë.

Studiuesit krahasuan nivelet e 25-hydroxyvitamin D (25OHD) gjatë diagnozës dhe i lidhën me prognozën e mbijetesës. Ata analizuan të dhënat nga 5 Janari 2014 deri 15 marsi 2015 dhe rezultatet u publikuan në revistën JAMA Oncology.

Gjysma e pacienteve kishin nivele të ulta të vitaminës D dhe gati më shumë se një e treta e pacientëve kishin mungesë të kësaj vitamine. Studiuesit zbuluan nivele të ulëta të vitaminës D tek gratë me tumore në fazë të avancuar. Gratë me nivele më të larta të vitaminës D kishin shkallë më të lartë mbijetese. Nivelet e vitaminës D u rritën me marrjen e ushqimeve të duhura dhe përmes plotësimit të mungesave të kësaj vitamine.

Hulumtuesit si përfundim u shprehën: "Gjetjet tona tregojnë për lidhjen që ekziston mes niveleve të vitaminës D dhe rrezikut të progresit të kancerit të gjirit dhe vdekjes". 

Megjithatë, është e nevojshme të kryhen kërkime të mëtejshme për të përcaktuar shkakun me një nivel më të lartë sigurie dhe të aplikohen prova klinike më të shpeshta.