Radikalet e lira dhe kanceri

RASTET PATOLOGJIKE
Typography

Vitet e fundit, radikalet e lira, janë cilësuar si shkaktarë të shumë problemeve shëndetsore të tilla si: sëmundjet kardiovaskulare, kanceri, plakja e parakohshme, ngjyra dhe pamja e përgjithshme e lëkurës së fytyrës, artriti, katarakti, skleroza multiple (e shumëfishtë), ulçera peptike etj.

Shumë kërkime shkencore janë bërë rreth radikaleve të lira dhe rezultatet kanë treguar mbi rëndësinë e tyre por edhe se sa të rrezikshme ato mund të jenë për trupin e njeriut.

Çfarë janë radikalet e lira? 

Radikalet e lira janë atome apo molekula ose grupe atomesh ose molekulash të cilat kanë një elektron të vetëm të lirë, që veprojnë në mënyrë individuale ose në grupe dhe janë shumë të paqëndrueshme dhe shume të ndjeshme ndaj reagimeve. Kur prania e tyre në organizëm është shumë e madhe, ato veprojnë në mënyrë agresive kundër qelizave, duke sulmuar si membranën qelizore ashtu edhe bërthamën qelizore duke dëmtuar si ADN dhe ARN. Radikalet e lira mund të formohen nga temperatura, rrezatimi UV dhe rrezet X në ambient, por kryesisht prodhohen brenda organizmit gjatë proceseve normale metabolike.

Radikalet e lira më të dëmshme në trupin e njeriut formohen gjatë proceseve kimike komplekse në të cilat oksigjeni përdoret brenda në qelizë.

Mos mendoni se të gjitha radikalet e lira janë të dëmshme. Ato kryejnë një numër të madh funksionesh të dobishme, si psh përdoren nga disa qeliza të bardha të gjakut për të shkatërruar bakteret hyrëse. Ato përbëjnë gjithashtu bazën me të cilën funksionojnë shumë ilaçe dhe janë të rëndësishme në përbërjen e shumë enzimave.

Megjithatë, radikalet e lira janë implikuar në zhvillimin e shumë problemeve klinike (sëmundje) në lidhje me trurin, sytë, zemrën, veshkat, traktin gastrointestinal dhe mushkëritë.

Oksigjeni në përgjithësi mund të konsiderohet si gaz toksik. Pavarësisht se është i domosdoshëm për mbijetesën e njerëzve dhe organizmave të tjera nëse qelizat e gjalla ekspozohen në niveleve më të larta të presionit të oksigjenit se normalisht , atëherë oksigjeni mund të bëhet toksik. Për këtë janë përfshirë faktorë të ndryshëm por efekti i oksigjenit të tepërt mund të vërehet në rastin inincubators: foshnjat e parakohshme mund të pësojnë dëmtime të retinës dhe si rezultat mund të arrijnë deri në verbim.  

Kanë kaluar pothuajse 40 vjet që kur u propozua për herë të parë se efektet më të dëmshme të rritjes së përqendrimit të oksigjenit në organizmat e gjalla mund të jetë shkak i formimit të radikaleve të lira. Rreth 15 vjet më vonë u përshkrua për herë të parë enzima superoxide dismutase tek qelizat e gjitarëve, gjithashtu u përcaktua edhe roli i tij në heqjen katalitike të një radikali të lirë (Superoxide Oz.)

Mbrojtja e organizmit

Trupi ka një sistem kompleks mbrojtës (mekanizëm) për kontrollin e radikaleve të lira. Pjesa më e madhe e radikaleve të lira, prodhohet gjatë reaksioneve kimike të cilat përfshijnë oksigjenin, si për shembull kur oksigjeni "djeg" karbohidratet për të prodhuar energji. Gjatë këtij procesi, prodhohen radikale të lira të cilat oksidojnë kimikatet fqinje  (neighbouring chemicals). Mbrojtja e organizmit ndaj këtij sulmi quhet sistem antioksidant dhe përbërësit që ajo përdor quhen antioksidantë.

Tek antioksidantët përfshihen:

Enzimat: Prodhohen nga trupi i njeriut dhe funksionojnë brenda qelizave për neutralizimin e radikaleve të lira gjatë formimit të tyre. Enzima më e njohur është superoxide dismutase ose ndryshe SOD. Enzimat nevojiten zakonisht për të siguruar një shumicë të metaleve si psh zinku, seleni, bakri dhe mangani për prodhimin dhe funksionimin më të mirë të tyre. Dy enzima të tjera të rëndësishme antioksidante janë katalazë dhe peroxidase. Këto enzimat, veçanërisht peroksidi i glutationit janë të nevojshme për largimin e sigurt të peroksidit të hidrogjenit, i cili pengon shpërbërjen e tij në radikale të lira. Peroksidi i glutationit përmban selen dhe nevojitet vitamina E për funksionimin e duhur të tij. Dallohet kështu rëndësia e disa përbërësve ushqimorë si antioksidantë. 

Përbërësit ushqimor më të rëndësishëm janë:

B-carotene: karrotat dhe perimet jeshile janë një burim shumë i mirë i beta-carotenës , si një vitaminë e tretshme në yndyrë ajo besohet se është një nga “pastruesit” më të rëndësishëm të radikaleve të lira.

Shumë nutricionist besojnë se dietat ushqimore në Britani kanë sasi të ulët të B-carotenës, kjo shpjegon frekuencën e lartë të sulmeve nga lloje të ndryshme të kancerit që po përhapen në këtë vend.

Vitamina C: Vitamina C është një pastrues i tretshëm në ujë  i radikaleve të lira dhe është përgjegjës për bllokimin e radikaleve të lira në pjesët ujore të qelizave dhe indeve. Reagon shpejt me peroksidet dhe shumë më shpejt me radikalet toksike hidroksile.

Vitamina E: Është një pastrues i tretshëm në yndyrë i radikaleve të lira, e cila mbron yndyrnat në trup dhe veçanërisht muret qelizore të cilat janë të përbëra nga lipidet (yndyrnat) dhe proteinat. Këto lipide janë shumë të ndjeshëm ndaj peroxidimit, i cili përbën një mekanizëm të rrezikshëm i vetëpërhapur dhe që e bën vitaminë E në veçanti më të rëndësishme për të parandaluar peroxidatimin e mësipërm. Besohet gjithashtu se vitamina E mbron enzimat antioxidante të trupit të njeriut duke sjell si rezultat zgjatjen e jetës dhe veprimatrisë së tyre.

Glutathioni: Kjo lëndë ushqyese gjendet në dietën e njeriut po mund edhe të prodhohet nga organizmi i njeriu. Glutathioni është një pastrues i mirë i radikaleve hidroksile- të cilat janë radikale të lira shumë aktive. Mungesa e glutathionit- i cili është një pararendës i peroksidit të glutathionit mund të çojë në formimin e tepruar të peroksideve të cilat prishin eritrocitet duke çuar në një anemi të rëndë hemolitike.

Radikalet e lira - efektet në shëndetin e njeriut

Kodi ynë gjenetik është i ruajtur në një spirale e cila është quajtur ADN dhe është në thelb të çdo qelize. Për fat të keq ADN-ja si çdo substancë tjetër kimike, është e ndjeshme ndaj radikaleve të lira të dëmshme. Radikalet e lira mund të shkatërrojnë qelizat por dëmi mund të riparohet me veprimin e një procesi tepër të ndërlikuar e cila përfshin pjesëmarrjen e enzimave. Gabimet që mund të bëhen në procesin e riparimit mund të çojnë në rritjen e pakontrolluar të qelizave mutante - me fjalë të tjera në rritjen e qelizave kancerogjene!

Këto lloj qelizash formohen vazhdimisht, por zakonisht sistemi imunitar i trupit të njeriut i shkatërron. Megjithatë në rastet kur sistemi imunitar është i bllokuar nga këto mutacione dhe nuk mund të përballet me to, atëherë ka të ngjarë të mbizotëroj kanceri. Besoni pra, që dëmi i radikaleve të lira, si për shembull tek duhan pirësit mund të çojë në zhvillimin e kancerit sidomos kur sistemi antioksidant i trupit është i dëmtuar edhe për shkak të mungesës së përbërësve të vlefshëm ushqimor në dietën e tyre.  ΗImperial Cancer Research Fund së fundmi ka krijuar një tabelë përmes së cilës tregonte se një dietë e përmirësuar mund të parandalojë zhvillimin e një numëri të madh të llojeve të kancerit.

Plakja e parakohshme

Radikalet e lira vrasin qelizat duke shkatërruar muret qelizore ose komponentët (përmbajtjen) e qelizës, siç është ADN-ja. Kur vdes qeliza, zakonisht shkatërrohen edhe qelizat e tjera të cilat e rrethonin ose ishin të varura prej saj. Normalisht qelizat e dëmtuara zëvendësohen me të tjera por kjo ndodh në një kohë kur numri i qelizave të dëmtuara e tejkalon prodhimin e qelizave të reja, duke filluar kështu procesi i plakjes.  Edhe pse procesi i plakjes është i programuar gjenetikisht, besohet se dëmi i tepërt oksidativ i shkaktuar nga radikalet e lira ndikon në ndryshimin e ekuilibrit të shkatërrimit të qelizave duke sjell si pasojë përshpejtimin e fillimit të plakjes. Për shembull, lëkura e zbehtë dhe e lodhur e duhanpirësve ose fytyra e rrudhosur e atyre që kanë marrë rreze dielli në mënyrë të tepruar janë rezultat i  dëmtimit oksidativ nga radikalet e lira, dëme të cilat shtrihen përtej shtresës së lëkurës.

Sëmundjet e zemrës

Disa nutricionist besojnë se nuk mund të jetë kolesteroli problemi i vetëm që shkakton sëmundjet e zemrës por edhe efekti oksidativ që kanë radikalet e lira tek kolesteroli. Oksidimi i LDL (kolesteroli i keq) nga efekti i disa radikaleve të lira përbën një hap të rëndësishëm drejt procesit të arteriosklerozës. Studimet e fundit epidemiologjike kanë treguar vlerën e vitaminës E si antioxidanti më efektiv në uljen e rrezikut të sëmundjeve koronare të zemrës.

Imuniteti i dëmtuar

Mekanizmi imun përbëhet nga qeliza të veçanta, të tilla si limfocitet, të cilat sulmojnë bakteret dhe viruset që pushtojnë trupin. Të gjitha këto qeliza janë të ndjeshme ndaj ndikimit të radikaleve të lira dhe mungesa e lëndëve ushqyese antioksidante është e ditur se çon drejt një sitemi imunitar të dobët. Studimet kanë treguar se beta-carotene rrit përqendrimin e qelizave të cilat marrin pjesë në sistemin imunitar të trupit ndërkohë që stimulojnë prodhimin e interferonit (glikoproteina të cilat i prodhon vetë trupi i njeriut për tu mbrojtur ndaj sulmeve të viruseve).Stimulon gjithashtu aktivitetin e qelizave antikancerogjene, monociteve.

Vitamina C luan një rol të rëndësishëm si një antioksidant në qelizat e bardha të gjakut,ku është i domosdoshëm për të përshpejtuar reagimin e leukociteve ndaj sulmeve të mikroorganizmave dhe për të rritur aftësinë e tyre për të neutralizuar këto organizma.

Vitamina E është e njohur pasi është e domosdoshme për prodhimin dhe funksionimin e  limfociteve si dhe ndikon në rritjen e mekanizmit imunitar. Mungesa e selenit e lë trupin të ekspozuar ndaj sulmeve të radikaleve të lira dhe sëmundje të ndryshme.

Masat parandaluese

Shumë studime kanë treguar se një dietë e mirë, e cila përfshin konsumimin e sasive më të mëdha të perimeve të freskëta, kontribuon pozitivisht në futjen e më shumë përbërësve antioksidant në gjak. Nivelet  e larta të antioksidantëve në gjak lidhen me uljen e dëmeve të shkaktuara prej radikaleve të lira në inde. Kjo do të thotë se një mënyrë e mirë e të ushqyerit çon në uljen e rrezikut për tu sulmuar nga sëmundje të ndryshme. Kjo pikëpamje mbështetet nga studime që kanë treguar se në vendet ku konsumohen me shumicë perimet e freskëta ka një shkallë më të ulët të të prekurve nga kanceri.

Pirja e duhanit

Pirja e duhanit krijon një ngarkesë të madhe të dëmit oksidativ të shkaktuar nga radikalet e lira. Nëse jeni duhanpirës është e nevojshme të hani ushqime të pasura me vitamina ose të merrni vitamina shtesë. Studimet laboratorike kanë treguar se një cigare e vetme largon nga  trupi i njeriut 25 mg të vitaminës C. Pra, marrja e vitaminave shtesë është e vetmja mënyrë  për të siguruar një futje të mjaftueshme të lëndëve ushqyese në trupin e personave që pinë shumë duhan.