Kanceri i prostatit dhe ushqyerja

RASTET PATOLOGJIKE
Typography

Kanceri i prostatës njihet si një nga problemet më të rëndësishme mjekësore me të cilat përballet gjinia mashkullore. Ai është i pari lloj kanceri i diagnostifikuar në Evropë dhe Amerikë dhe është përgjegjës për një numër të madh vdekjesh. Ai renditet si lloji i dytë i  kancerit që shkakton vdekjen për burrat, pas kancerit të mushkërive.

Është përllogaritur se tek rreth 9.5% e meshkujve të moshës mbi 50 vjeç do të shfaqet kanceri i prostatës dhe tek rreth 2.5% e tyre ai do të jetë me pasoja vdekjeprurëse për jetën. Janë shumë faktorë, duke përfshirë ata gjenetikë dhe dietën e përditshme të cilat janë përcaktuar si shkaktarë për zhvillimin e kancerit të prostatës. Faktorët kryesorë të këtij rreziku janë mosha, raca dhe historiku i familjes. Ka të dhëna (edhe pse rezultatet e studimeve nuk janë gjithmonë dakort) se ndjekja e një diete të shëndetshme me ushqime pa shumë yndyrë dhe të pasur me fruta dhe perime mund të zvogëlojë rrezikun e shfaqjes  dhe përparimit të sëmundjes.

Një dietë e shëndetshme zvogëlon rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit, obezitetit dhe zakonisht përmirëson cilësinë e përgjithshme të jetës. Për më tepër, ajo ndihmon për të rritur nivelet e energjisë duke lehtësuar shërimin dhe forcuar sistemin imunitar. Në përgjithësi, meshkujve të cilët janë të interesuar për parandalimin e kancerit të prostatës, ju rekomandohet të bëjnë zgjedhje që përfshijnë gjithë jetën e tyre.

Reduktimi i peshës:
Obeziteti rrit rrezikun e kancerit të prostatës. Shoqëria moderne karakterizohet nga një ritëm i vrullshëm i jetës por që shoqërohet me një nivel të ulët të aktivitetit fizik dhe konsumimit të ushqimeve me përmabjtje të lartë të kalorive, yndyrës, sheqerit dhe kripës.

Trupi e ruan tepricën e ushqimeve si yndyrë. Kjo yndyrë e tepërt, sidomos yndyra rreth belit është e shoqëruar me rritjen e rrezikut të shfaqjes së shumë sëmundjeve, duke përfshirë edhe kancerin e prostatës.

Rritja e aktivitetit fizik:
Studimet tregojnë se meshkujt që ushtrojnë aktivitet fizik kanë rrezik më të ulët për tu sëmurë nga kanceri i prostatës por edhe pse ka studime që nuk bien dakort, një aktivitet i moderuar fizik mund t’ju ndihmojë të mbani peshën tuaj në nivelin e dëshiruar.

Konsumoni më shumë fruta dhe perime:

Ka të dhëna se një dietë e pasur me fruta dhe perime mund të zvogëlojë rrezikun e kancerit të prostatës. Frutat dhe perimet përmbajnë vitamina të tilla si E dhe C, minerale dhe fitokemikale (psh. Karotenoid, flavonoid, fitoestrogen) të cilat është provuar se kanë veti antikancerogjene.

Karotenoidi gjendet tek frutat me ngjyrë portokalli dhe të verdhë si dhe tek perimet. Likopeni dallohet për vetitë e tij antikancerogjene duke zvogëluar dëmtimin oksidativ ndaj makromolekulave celulare, dhe e gjejme tek domatja dhe bostani. Ka të dhëna se perimet sidomos brokoli, lulelakra, lakrat jeshile, lakra e Brukselit mund të jenë të lidhura me një reduktim të rrezikut të kancerit të prostatës. Burrat të cilët kishin konsumuar tre ose më shumë vakte me perime në një javë kishin 41 % më pak rrezik për tu sëmurë nga kanceri i prostatës në krahasim me burrat që hanin më pak se një vakt në javë. Efekt pozitiv, por në një masë edhe më të vogël ka edhe spinaqi.

Ushqimet me pak yndyrë:

Rritja e rrezikut të kancerit të prostatës në vendet e botës moderne lidhet pjesërisht me faktin se një dietë e pasur me yndyrna ka nxitur rritjen e nivelit të testosteronit, i cili është i lidhur me kancerin e prostatës. Shumë studime flasin edhe për një korrelacion pozitiv ndërmjet marrjes së yndyrnave të ngopura nga mishi apo produktet e qumështit me kancerin e prostatës. Konsumimi i mishit të kuq dhe produkteve të qumështit duket se gjithashtu është i lidhur me rritjen e rrezikut të kancerit metastatik. Nga studimet e bëra, burrat që konsumonin gjatë ditës ushqime që përmbanin një shkallë të lartë të yndyrës kanë pasur një rritje të rrezikut të kancerit të prostatës. Ulni konsumimin e mishit të kuq por njëkohësisht edhe gjalpit (margarinës) dhe majonezës. Mund të zvogëloni marrjen e yndyrnave në dietën tuaj të përditshme duke konsumuar mish ose produkte të qumështit pa yndyrë. Yndyrnat e këqija stimulojnë rritjen e kancerit të prostatës. Ju duhet vetëm të kufizoni përdorimin e margarinës dhe konsumimin e ushqimeve të skuqura dhe të përpunuara.

Konsumoni më shumë acide yndyrore omega-3:

Omega-3 mund të zvogëlojë rrezikun e zhvillimit të kancerit të prostatës. Sipas studimeve, burrat që konsumojnë peshk të paktën tre herë në javë kanë më pak rrezik për tu prekur nga kanceri i prostatës dhe efekti pozitiv i omega-3 është akoma edhe më i madh për zhvillimin e kancerit metastatik. Burime të mira të omega-3 janë peshku (si salmoni, sardelet, toni) si dhe arrat, farat e linit dhe soja.

Konsumimi me masë i alkoolit:

Konsumimi i moderuar i alkoolit nuk duket se kontribuon në rrezikun e shfaqjes së kancerit të prostatës, në ndryshim nga konsumimi i lartë i tij. 

Pini çaj jeshil:

Studimet kanë treguar se burrat që konsumojnë çaj jeshil kanë një rrezik më të ulët për tu prekur nga kanceri i prostatës. Çaji jeshil është i pasur me polyphenols, të cilat janë të lidhura si me ndalimin e rritjes së tumorit ashtu dhe me parandalimin e metastazave të kancerit.

 

Burimet:

 

·         «IARC Worldwide Cancer Incidence Statistics—Prostate» . JNCI Cancer Spectrum . Oxford University Press . December 19, 2001.

 

·         Siegel R, (2011). «Cancer statistics, 2011: the impact of eliminating socioeconomic and racial disparities on premature cancer deaths.». CA Cancer J Clin 61 : 212–36

·         Baade, PD; Youlden, DR; Krnjacki, LJ (2009 Feb). «International epidemiology of prostate cancer: geographical distribution and secular trends.». Molecular nutrition & food research 53 (2): 171-84

·         Hankey BF, Feuer EJ, Clegg LX, Hayes RB, Legler JM, Prorok PC, Ries LA, Merrill RM, Kaplan RS (June 16 1999). «Cancer surveillance series: interpreting trends in prostate cancer—part I: Evidence of the effects of screening in recent prostate cancer incidence, mortality, and survival rates». J Natl Cancer Inst 91 (12): 1017–24

·         Prospective Study of Fruit and Vegetable Intake and Risk of Prostate Cancer. JNCI J Natl Cancer Inst August 1, 2007 99:1200-1209

·         Alcohol Intake, Drinking Patterns, and Risk of Prostate Cancer in a Large Prospective Cohort Study. Am J Epidemiol March 1, 2004 159:444-453

·         http://www.uroweb.org/guidelines/online-guidelines/

·         http://www.cancer.org/acs/groups/cid/documents/webcontent/002577-pdf.pdf

·         http://www.health.harvard.edu/newsweek/Preventing_prostate_cancer_and_diet.htm

·         http://medidiatrofi.gr