Mos ndoshta duhet fajësuar ushqimi kur nuk flini dot natën?

RASTET PATOLOGJIKE
Typography

Stresi, tensioni dhe pagjumësia mund të vijnë si pasojë e shkaqeve të ndryshme.
Gjumi ka ritme personale për gjithsecilin por ka edhe shkaqe mjedisore, psikologjike dhe hormonale që ndikojnë në humbjen e bilancit të tij.

Por shpesh herë ne harrojmë që edhe dieta e përditshme ushqimore  luan rol shumë të rëndësishëm, pasi:

a)      Metabolizmi i ushqimit

b)      Sasia

c)      Cilësia e vitaminave, proteinave dhe mineraleve që absorbohen nga organizmi janë të lidhura ngushtë me relaksimin e muskujve, seratoninën dhe adrenalinën të cilat janë protagonist të gjendjes së qetësisë apo gjendjes së ankthit. 

Le të shohim se cilat janë rregullat kryesore që duhen ndjekur gjatë ushqyerjes për një gjumë të qetë si dhe për reduktimin e stresit dhe tensionit.

 

Ushqimet të cilat duhet ti shmangim para gjumit

Kripa

Shkakton mbajtjen e lëngjeve dhe pengon relaksimin e muskujve.

Kujdes me kripën që përmbajnë mishrat, konservat, ushqimet e tymosura, turshitë, ushqimet e gatshme.

Lajthitë dhe arrat

Konsumimi i tyre para gjumit shkakton stimulim fizik dhe mendor.

Djathrat e fortë

Shkaktojnë përthithjen e magnezit dhe zinkut në sasi më të vogël. Përthithja më e ulët e magnezit mund të na bëjë të ndihemi më të tensionuar.

Gjithashtu konsumimi i djathrave të fortë para gjumit shkakton përthithjen e manganit dhe kobaltit në një sasi më të ulët, përbërës këta të rëndësishëm për një gjumë të qetë dhe për relaksimin e muskujve.  

Vera

Alkooli në fillim shkakton përgjumje por më pas shkakton pagjumësi. Kufizojeni veten tuaj duke konsumuar vetëm një gotë të vogël vere dhe kjo do ishte mirë të ishte verë e kuqe. 

Mustarda, kerri, ushqimet pikante, cokollatat, pijet që përmbajnë kafein.

Stimulojnë zorrën dhe sistemin nervor.

  

Ushqimet që nxisin qetësinë dhe gjumin.

Kajsia

Paraqet vlera të rëndësishme ushqyese dhe dietike si dhe është një frut i rëndësishëm që nxit qetësimin. Kajsia është e përshtatshme për situatat e tensionit, pagjumësisë dhe sëmundjet psikosomatike. Ajo ndihmon edhe nësë është në formën e frutit të thatë.  

Lakrat

Lakra është e pasur me acid folik, një substancë e rëndësishme që ndihmon në çlodhjen e sistemit nervor dhe për funksionimin e duhur të tij. Veçanërisht e përshtatshme për njerëzit që kanë probleme me pagjumësinë.

Molla

Ka vlera antioksiduese, diuretike dhe qetësuese çka e bën atë një frut të shkëlqyer për në mbrëmje.

Pjeshka

Në sajë të përmbajtjes së fosforit dhe niacinit pjeshka është e përshtatshme për të gjithë ata që kalojnë një gjendje tensioni dhe nëse konsumohet në darkë nxit gjumin.

Gjithashtu 3 këshilla themelore për një gjumë më të mirë janë:

1-      Kufizoni sasinë e ushqimit dhe kalorive gjatë vaktit të darkës

2-      Asnjëherë mos konsumoni më shumë se 250 kalori në darkë.

3-      Mundohuni të mos hani pas orës 21.00 - 22.00 ose më pak se 3 orë para se të flini.