A e kanë fajin gjenet tuaja për kilet e tepërta?

DOBËSIMI
Typography

       Është fakt tashmë që materiali gjenetik që transmetoni dhe që keni trashëguar nga prindërit tuaj,  luan rol të rëndësishëm në shfaqjen e sëmundjeve. Obeziteti është një sëmundje multifaktoriale dhe nëse dikush do arrijë ta ketë ose jo, kjo varet edhe nga faktorët gjenetikë. Sipas studimeve, fëmijët nga prindër normalë kanë një shans 10% për tu bërë obezë, ndërkohë  kjo shifër rritet në 50% nëse njëri nga dy prindërit është obezë.

Deri më sot janë zbuluar disa gene (si psh geni FTO) të cilët ndikojnë disa "elemente" të ndryshëm që përcaktojnë peshën tonë (si përthithja e lëndëve ushqyese, uria, ngopja etj).

Pra, është vënë re se ka njerëz të cilët kanë më shumë gjasa për të fituar peshë dhe yndyrë trupore kur janë të ekspozuar ndaj një mbingarkese energjie (rritje e futjes së kalorive në trupin tonë) në krahasim me disa të tjerë. Megjithatë, genet si faktor i vetëm nuk mund të jenë shkaku përfundimtar i kileve tuaja të tepërta.

Mjedisi (familjar, social, ekonomik) mund të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme zakonet tona të të ushqyerit por edhe kushtet për aktivitetin tonë fizik. Pra, nëse një nga prindërit tuaj është mbipeshë, por ju ndiqni zakone të mira të të ushqyerit dhe një aktivitet të rregullt sportiv atëherë është e pamundur që ju të merrni kile të tepërta deri në një masë të konsiderueshme.

Kështu që prindërit mbipeshë apo obezë kanë më shumë gjasa të kenë fëmijë obezë ose mbipeshë, jo vetëm për shkak se fëmijët e kanë këtë predispozitë por edhe sepse fëmijët kanë adaptuar zakonet e këqija të të ushqyerit nga prindërit e tyre.