Organizmi i mënyrës së të ushqyerit për një trup të shëndetshëm

DIETA
Typography

Organizimi i gjërave është një nga faktorët që do të rrisë shanset tona për të ndjekur me sukses një program të menaxhimit të peshës.

Përpara se të nisim një tjetër përpjekje për humbjen e kilogramëve të tepërt duhet të jemi të përgatitur të përballojmë pengesat të cilat kanë sabotuar përpjekjet tona. Çdo përpjekje e mëparshme e dështuar ka një (ose më shumë) shkaqe. Prandaj, detyra jonë e parë është të shënojmë në një fletë arsyet se pse nuk e arritëm qëllimin tonë, i cili mund të ketë qënë që nuk arritëm të humbasim kilogramët që donim ose që nuk arritëm të ruanim kilet që humbën por i rimorrëm ato (ose dhe më tepër). Duke kuptuar këto arsye, ne arrijmë të mendojmë paraprakisht se si do të reagojmë nëse edhe në përpjekjen e radhës na ndodh diçka e ngjashme. Kur jemi të përgatitur për pengesat që do të ndeshim, suksesi është më i afërt.

Nuk duhet që ne vetë të sabotojmë veten tonë duke thënë se përsëri nuk do të mund tia dalim të largojmë kilet e tepërta. Përkundrazi, duhet ta inkurajojmë veten duke thënë se i kemi aftësitë për tja dal me sukses pavarësisht të gjitha pengesave që do të ndeshim, pasi me këmbëngulje dhe durim çdo gjë do të shkojë siç duam.

Duke qënë të përgatitur psikologjikisht për përpjekjen e re për të humbur kilet e tepërta, rradhën e ka organizimi i dietës tonë dhe mënyra e të ushqyerit. Fillimisht ndjekim modelin e dietës mesdhetare pasi kjo lloj diete është e lidhur më pak me mundësinë e shfaqjes së ndonjë sëmundjeje si dhe është më e shëndetshme për organizimin tonë. Kështu pra, dieta jonë do të kombinojë këto lloje ushqimesh gjatë një jave duke pasur 2-3 herë bishtajore, 1-2 herë peshk, 1-2 herë pule, 0-1 herë mish të kuq dhe 2-3 herë në javë makarona ose gatime me vaj.

Marrim masa që të blejmë dhe ti kemi në shtëpi të gjitha produktet që na nevojiten, të mbajmë në shtëpi ushqime dhe snaks që promovojnë shëndetin tonë (p.sh. fruta të thata, arra, biskota gruri, çokollatë e zezë, etj) dhe të shmangim ato që nuk kanë vlera ushqyese dhe na vënë në tundim (p.sh. patate të skuqura, wafers, etj).

Hamë gjithmonë mëngjes me një cilësi të mirë që të na japi gjithë energjinë që na nevojitet gjatë ditës. Hamë ushqime dhe snaks të vegjël ndërmjet vakteve për të rregulluar oreksin dhe për të mbajtur nën kontroll urinë dhe lakminë tonë.

Rastet në të cilat parashikohet një vakt jashtë shtëpisë nuk duhet të na trembin. E vetmja gjë që duhet është një përshtatje e thjeshtë e vakteve gjatë ditës. Psh, hamë në mesditë një sasi më të vogël ushqimi, dhe kur jemi duke ngrënë jashtë përzgjedhim nga tavolina ushqime të shëndetshme dhe konsumojnë në sasi të arsyeshme pa e tepruar.

Jemi të përgatitur për ndonjë devijim të mundshëm gjatë regjimit pasi është e pamundur të ndjekim ndonjë program ushqimor për një kohë të gjatë duke qënë absolutisht të rregullt. Çfarë do që të ndodh (psh nëse e tepërojmë gjatë një darke në restorant) ditën tjetër vazhdojmë normalisht programin.

Thënia e famshme "Në mëngjes ha si një mbret, drekën si një princ dhe darkën si një lypës" mund të karakterizojë mënyrën e duhur të të ushqyerit. Mund të bazohemi mbi këtë shprehje dhe përpjekja jonë për të humbur kilogramët e tepërt por edhe për ta ruajtur trupin gjithmonë në formë, do ketë sukses.