Konsumoni gjatë vakteve por në mënyrë të zgjuar

DIETA
Typography

         Ajo që tashmë e keni dëgjuar por edhe mund ta dini mjaft mirë është se nuk mjaftojnë vetëm 3 vaktet kryesore (mëngjesi, dreka dhe darka) por është e nevojshme të konsumoni diçka të vogël ndërmjet tyre ose e thënë ndryshe të shijoni një snack. Snack- u në varësi edhe se si mund ta menaxhojë gjithësecili, mund të kthehen në një aleat të  çmuar për organizmin, peshën trupore si dhe për jetëgjatësinë e njeriut.

        Sipas rezultateve të një studimi të kryer në Amerikë, sasia e kalorive të absorbuara gjatë ditës nga kjo popullsi është 547 kalori. Kjo në vetvete nuk ka asnjë vlerë, por në qoftë se e krahasoni me 345 kaloritë që konsumoheshin para 30 vjetëve me siguri mund të dalloni ndryshimin.

         Regjimi ushqimor i shqiptarëve për fat të keq paraqet shumë ngjashmëri me atë të amerikanëve. Punojmë me orë të zgjatura gjatë ditës dhe kjo e bën të vështirë planifikimin e regjimit tonë ushqimor. Shumica duke mos parashikuar konsumimin e snack-eve gjatë ditës përfundojnë me konsumimin e ushqimeve që janë të pasura me kripë, yndyrë dhe shumë kalori. Kjo çon në mënyrë të pashmangshme në rritjen e peshës trupore. Gjithashtu duke bërë zgjedhje të zgjuara mund të mbrojmë shumë shëndetin tonë.

        Para së gjithash duhet kuptuar se është e nevojshme dhe e domosdoshme konsumimi i një snack-u në qoftë se e dini se mes 2 vakteve tuaja kryesore do të kalojnë të paktën 3-4 orë. Kjo periudhë kohore vendoset për arsye se kaq është pak a shumë koha për të ulur nivelin e glukozës në gjak dhe të krijohet sërish ndjenja e urisë. Ju duhet të konsumoni një snack të lehtë para se të ndjeni uri.

         Mundet gjithashtu të veproni në mënyrë të zgjuar dhe të zgjidhni të konsumoni gjatë vakteve diçka që nuk do t'ju shtojë kalori “boshe” dhe njëkohësisht do  t’ju ndihmojë të korrigjoni mangësitë në ushqyerje. Pra në qoftë se dikush nuk arrin të konsumojë dot fruta gjatë ditës, mund ti zgjidh ti konsumojë ato si një snack të lehtë në mënyrë që të plotësojë këtë boshllëk. Mësoni cilat janë mangësitë tuaja në ushqyerje dhe bëni zgjedhjet e duhura.

Zgjedhje të tjera të zgjuara të cilat mund ti përdorni si snack janë: arrat, kosi pa yndyrë, fruta të thata, lëngje frutash, biskota thekre, tost me bukë thekre me djath pa yndyrë. Përpiquni të shmangni produktet e gatshme si kruasant-ët ose brioshët.