KUR VJEN ANOREKSIA

PSIKOLOGJI
Typography

Vitin e kaluar erdha në kontakt me një botë të panjohur deri më tani për mua. Gjatë shërbimit tim në pavjonin e Shëndetit të Adoleshentëve në Spitalit e Fëmijëve “Aglaia Kiriakou”, që përballet vazhdimisht me situata të tilla dhe që është një shkollë e madhe për mua, arrita të kuptoj që bëhet fjalë për një problem që ka filluar të marrë përmasa të mëdha edhe në vendin tonë. Këtë verë, kuptova se ka shumë vajza të reja që drejtohen me saktësi matematikore në labirintin e kësaj sëmundjeje.

Anoreksia nervore është një plagë e thellë e brendshme, ekzistenca e së cilës për sa kohë nuk arrihet të kapet nga familjarët dhe mjedisi më i gjerë mund të manifestohet me pasoja të pallogaritshme për trupin dhe mendjen. Nuk arrihet të dallohet lehtë dhe në mënyrë të menjëhershmë. Efektet dhe simptomat bëhen të dukshme vetëm kur ajo ka evoluar në masë të madhe dhe shpesh, për fat të keq, nuk ka kthim mbrapa. Le të njihemi më përvojën personale të një vajze të re, ashtu sic ajo e përshkruan në një letër që erdhi në duart tona.

Dashuroni trupin tuaj....

Përshëndetje. Më quajnë Nana dhe jam 20 vjece. Dy vitet e fundit kam probleme me mënyrën e të ushqyerit. Fillova me anoreksi nervore dhe përfundova me bulimi nervore. Fillimisht isha normale, sigurisht e dobët, 58-60 kg, dhe gjatësi 1.75. Më pas, në një kohë relativisht të shkurtër humba mjaft kilogramë dhe arrita në 51. Arrini ta kuptoni që isha aq e pamundur dhe e dobët sa që edhe periodat mu ndërprenë për disa muaj.

Nga ky moment e në vazhdim anoreksia filloi të alternohej me situata bulemike të cilat filluan e bëheshin më të shpeshta. Nga prilli deri në shtator nuk hëngra as edhe një herë të vetme në mënyrë normale. Ose nuk do haja asgjë për 3-4 ditë rresht ose do haja gjithçka. Përpiqesha të provokoja të vjella por pa sukses. Deri në shtator pesha ime ishte kthyer në nivele normale, natyrisht unë nuk e dëshiroja diçka të tillë. Isha 58- 60 kg dhe periodat mu rikthyen, por unë ndërkohë vuaja. Doja me patjetër që unë të humbja kilogramë. Mendoja se isha e shëndoshë. Dhe atëherë arrita në ekstremin tjetër.

Për dy javë u mbylla në shtëpi dhe haja gjatë gjithë ditës. Morra 14 kg brenda 2 javësh. Kisha arritur në pikën e fundit. Më në fund, me inkurajimin edhe të njerëzve të mi,  shkova në një psikolog dhe tani pas kaq muajsh, ndjehem më mirë. Kam filluar të humbas disa kilogramë. Qëllimi im është të arrijë në kilet e mëparshme dhe të stabilizohem në ato nivele. E vërteta është se ndonjëherë kam frikë se nuk do t’ja arrijë, por dua të besojë se unë do të dal fitimtare nga e gjithë kjo.

Do të doja tju bëja një apel vajzave, sidomos atyre të vogla në moshë, që ta duan trupin e tyre ashtu siç është, dhe të mos harrojnë se bukuria e vërtetë duhet të shoqërohet edhe me një shëndet të mirë.

Letra të tilla si kjo e Nanas, na kanë shqetësuar shpesh herë edhe në të kaluarën.  Nana përshkruan me saktësi dramën psikologjike që kaloi dhe që po kalojnë me mijëra vajza të reja, madje edhe në këto momente që ju jeni duke lexuar këto fjalë. Si në anoreksinë nervore ashtu edhe në buliminë nervore shkaqet janë kryesisht psikologjike. Një çrregullim psikologjik-që mund të vijë për shumë shkaqe të ndryshme- mund ti shkaktojë njeriut një shtrembërim të imazhit të trupit të tij.

Shkaqet psikologjike të cilat mbeten të pazgjidhura dhe të panegociueshme për një periudhë të shkurtër apo të gjatë kohore mund ta shtyjnë njeriun drejt ndonjë veprimi të ekzagjeruar. Në mënyrë të veçantë, zgjerimi i tensionit psikologjik drejtohet në mënyrë të gabuar drejt trupit dhe shprehet ose përmes mbingrënies ose përmes urisë. Ky lloj deformimi i imazhit, përmes trurit, mund të shkaktojë tek njeriu humbjen e aftësisë për të ekuilibruar situatat mes realitetit dhe imagjinares së dëshiruar. Edhe pse kjo çështje ka nevojë për shumë diskutime, do të donim të përqëndroheshim në dy ose tre pika shumë të veçanta të kësaj letre.

Së pari, është bërë e qartë nga Nana se u desh ndihma nga psikologu i saj deri sa ti bëhej e qartë që trupi i saj ishte “marrësi i pafat” i kësaj manie vetëshkatërruese dhe kuptohet qartë se ka nevojë për të marrë më tepër ndihmë për të pastruar të gjitha ato që i kanë krijuar konfuzion në mendjen dhe shpirtin e saj.

Një tjetër gjë e rëndësishme që përmendet nga Nana është se në një peshë të caktuar ajo humbi periodat e saj dhe në të njëjtën peshë specifike ato ju rikthyen. Kjo gjë, do të donim që me të vërtetë të ngelej në mendjen e atyre vajzave që kërkojnë të humbasin gjithnjë e më tepër peshë por edhe në mendjen e atyre që shoqërojnë këto vajza. Periodat, në varësi të peshës specifike që humbni ose rifitoni janë pikë referimi për kufirin minimal të lejuar që duhet të arrijë një grua e re. Që nga kjo pikë humbja e periodave  e shoqëruar edhe me efekte të tjera shëndetsore, të cilat nëse vazhdojnë për një kohë të gjatë, janë dëshmi të problemeve të pariparueshme në trupin tonë.

Kur pesha bie qoftë edhe një gramë nga ajo që keni pasur gjatë periodave të fundit zhvillimi i vajzave adoleshente ndërpritet, grupe të mëdha muskujsh si mëlcia, zemra, veshkat “dekompozohen”, fillon degradimi i kockave nga mungesa e kalciumi, rritet rreziku i frakturave osteoporotike dhe truri redukton dukshëm funksionet e tij derisa mund të arrijë në mungesën e plotë të komunikimit me mjedisin e jashtëm. Kjo peshë qëndrore është pika zero e cila në asnjë mënyrë nuk duhet të reduktohet dhe është tërësisht personale për çdo femër të re. Kjo peshë vendimtare duhet të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe të mbetet e qëndrueshme duke dhënë cikle mujore të rregullta të periodave- zakonisht pesë ditë rrjedhje gjaku.

Është i rëndësishëm roli i dietologut i cili si profesionist duhet të dijë dhe të marrë parasysh historikun mjekësor të pacientit dhe me një përgjegjësi të madhe ta ndihmojë atë për të mos humbur më tepër peshë dhe të stabilizojë rrjedhën e saj.

Por për fat të keq, ka një numër “dietologësh” që për qëllime përfitimi janë të gatshëm të japin çfarëdolloj diete, për sa kohë dëshirohet edhe nga pacienti, duke mos i marr parasysh pasojat e rrezikshme. Roli i dietologut, në çdo rast të tillë është që fillimisht të ndalojë pasojat e vazhdueshme që mund të vijnë nga ndërprerja e periodave dhe ta drejtojë gruan drejt peshës së duhur deri sa të fillojë të funksionojë normalisht natyra e saj femërore.

Në vazhdim përmes kontakteve, bisedave dhe besimit që do të krijohet, dietologu do ta trajnojë gruan me mënyrën më të përshtatshme që ajo të rifitojë zakonet e mira të të ushqyerit dhe sigurisht duke patur paralelisht mbështetjen psikologjike të një psikologu të kualifikuar.

Në fund, do të donim të përqëndroheshim në frazën e fundit të letrës së Nanas, drejtuar të gjitha femrave dhe vajzave të reja dhe thjesht do të donim të përsërisnim fjalët e saj:

“Do të doja tju bëja një apel të gjitha vajzave, sidomos atyre të vogla në moshë, që ta duan trupin e tyre ashtu sic është, dhe të mos harrojnë se bukuria e vërtetë duhet të shoqërohet edhe me një shëndet të mirë”.

 Jemi plotësisht dakort më ty Nana, dhe sinqerisht të falenderojmë për letrën tënde si dhe për mundësinë që na dhe për të komentuar mbi një çështje kaq të rëndësishme.