Divorci dhe ndikimi i tij tek fëmijët

PSIKOLOGJI
Typography

Divorci është një çështje e ndjeshme, me pasoja si për prindërit ashtu dhe për fëmijët e tyre.

Shumë pyesin se cila është në të vërtetë mosha e duhur për tu ndarë? Po sigurisht përgjigja nuk mbulohet përmes shifrave.

Një rregull i përgjithshëm që duhet patjetër të merret parasysh është që ndarja të mos përkojë me një tjetër periudhë stresi si për ju ashtu edhe për fëmijët tuaj – që zakonisht përballen me një ndryshim të madh. Shumë themelore është të merret parasysh fakti se kur është rasti i duhur edhe për ju, pra kur ju do të jeni të gatshëm për tu ndarë.

Kur martesa është jofunksionale, divorci mund ta “shpëtojë” fëmijën nga shumë përjetime të pakëndshme që mund të ketë patur. Kryesisht, periudha kur çifti është në hapat e parë drejt ndarjes, është një periudhë tepër e vështirë dhe ku neglizhimi i fëmijëve është një nga karakteristikat kryesore. Së fundi, le të mos harrojmë edhe kushtet ekonomike, pasi divorci ka pasoja të dukshme ekonomike si për atë që largohet ashtu edhe për atë që qëndron me fëmijën.

Edhe pse duket e vështirë, efektet e divorcit janë shumë të varura nga sjellja e të dy prindërve pas divorcit. Ka shumë gjasa që të ketë reagime afat-shkurtëra tek fëmijët pas ndarjes së prindërve të tij. Kështu, tek fëmijët e vegjël shpesh vihet re nervozizëm dhe qarje pa ndonjë arsye specifike, çrregullime në mënyrën e të ushqyerit si psh: anoreksia, çrregullime gjatë fjetjes si psh; refuzimi i fëmijës për të fjetur vetëm, bën gjumin me ndërprerje ose ka makthe si dhe regres në shumë sjellje të mëparshme (psh. kërkojnë biberonin e tyre ose urinojnë gjatë natës). 

Për fëmijët më të rritur (të shkollave fillore) përveç efekteve të sipërpërmenduara mund të vihet re edhe një performancë e dobët në shkollë, sjellje depresive, ndjenja e dështimit dhe besimi i reduktuar, probleme me sjelljen, mosbindje dhe refuzim. 

Së fundi, për fëmijët adoleshente ka gjasa të ketë shumë konfrontime me të dy prindërit, zgjedhjen e “frontit” në të cilin ai do të qëndrojë, probleme me performancën në shkollë, depresion, pasivitet, rritje e parakohshme, marrja e iniciativave dhe roleve që i takojnë një të rrituri, vështirësi në një lidhje dashurie (si për vajzat edhe për djemtë).