800 jetë të shpëtuara në 1 vit punë Urgjencë Kardiake 24/7

TË REJA SHKENCORE
Typography

Beqaj: 800 pacientë përfituan shërbim shëndetësor falas në një vit, me hapjen e urgjencës kardiake 24/7

Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj ka zhvilluar mbrëmjen e djeshme një vizitë pune pranë Shërbimit të Hemodinamikës në QSUT, për të parë se si funksionon sot urgjenca kardiake, një vit pas vënies në punë me kapacitet dhe kohë të plotë

 - Shërbimi i munguar i urgjencës kardiake 24/7 iu kurseu shqiptarëve 1,6 milionë dollarë në 1 vit

- Shkurtuam kohën e pritjes për kryerjen e koronarografisë nga 6 muaj, në 2 javë

- Pacientët nuk i drejtohen më spitaleve private apo të ikin jashtë vendit me shpenzimet e tyre për kryerjen e ndërhyrjeve në zemër. Ato realizohen falas në sistemin publik dhe privat me anë të financimit publik

Tiranë, 01/11/2016 – Pas një viti të funksionimit për herë të parë 24 orë në 7 ditë të javës së urgjencës kardiake, rezulton se janë 800 jetë të shpëtuara dhe rreth 1,400 ndërhyrje të urgjencës të realizuara falas në QSUT për pacientët që vuajnë nga sëmundjet e zemrës. Këto të dhena janë berë të ditura nga  Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i cili ka zhvilluar mbrëmjen e djeshme (31.10.2016) një vizitë pune pranë Shërbimit të Hemodinamikës, i shoqëruar edhe nga shefi i këtij shërbimi, Prof. Dr. Artan Goda, si dhe Drejtorja e Përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, znj. Ogerta Manastirliu.

Shefi i Shërbimit të Hemodinamikës, Prof. Dr. Artan Goda, bëri me dije se me çeljen prej një viti të këtij shërbimi që funksionon 24 orë në 7 ditë të javës, tashmë, asnjë pacient nuk i drejtohet më spitaleve private dhe të paguajë shërbimin apo të marrë avionin për ta kryer jashtë këtë lloj interventi. “Për ne, 3 vjet më parë ka qenë i paimagjinueshëm ky shërbim që po ofrojmë sot! Pacientit i shërbehej vetëm përgjatë 8-orarëshit, dhe shumë prej tyre detyroheshin të merrnin avionin dhe të shkonin jashtë vendit, për kryerjen e interventeve, apo ti drejtoheshin shërbimit privat duke paguar para nga xhepat e tyre.

Sot, ky shërbim ofrohet falas dhe përgjatë 24 orëve në 7 ditë të javës në spitalin tonë, por edhe në spitale private falë paketave mjekësore”, ka pohuar Goda, ndërsa ka bërë me dije se në çdo moment pajisja me materialet e nevojshme mjekësore është i plotë për kryerjen e procedurave invazive në zemër. “Kjo qendër, që bën më shumë (ndërhyrje) se sa gjysma e gjithë vendit, kjo me numra, është padyshim qendra më e madhe në të gjithë rajonin dhe konkuron me shtetet e zhvilluara,” tha më tej z. Goda.

Hapja e këtij shërbimi ka kërkuar shtimin e personelit si me mjekë dhe me infermierë, në mënyrë që të mund të përballoheshin rastet e urgjencave, të cilat rezultojnë se janë nga të gjitha rrethet e vendit. “Marrja e masave për mirëfunksionimin e Urgjencës Kardiake 24/7 bëri që sot, pas një viti, të kemi rezultate të kënaqshme. Nga 1 Nëntori 2015 – Tetor 2016, janë realizuar 784 koronarografi, 601 procedura angioplastike, 1385 procedura invazive të kryera në Urgjencen Kardiake, duke përfituar 779 pacientë nga ky sherbim,” ka bërë me dije drejtorja e QSUT-së, znj. Ogerta Manastirliu.

Sipas saj, vetëm gjatë ditëve të festave dhe fundjavave kanë përfituar 165 pacientë, kurse gjatë turneve të natës janë kryer 361 procedura angiografike dhe 296 procedura angioplastike. Nëse në vitin 2013 kemi bërë 700 raste koronarografie në total, sot flasim për 800 ndërhyrje vetëm për raste urgjence, ndërkohë që në total janë realizuar 4 mijë raste gjatë gjithë vitit, theksoi më tej ajo.

Por, për Ministrin e Shëndetësisë, përveç ofrimit të shërbimit për një numër të madh pacientësh, e rëndësishme ka qenë edhe ulja e kohës së pritjes, nga 6 muaj që ishte 3 vjet më parë, në 2 javë sot. “Ne, praktikisht, në 3 vjet kemi diçka që do të ishte e paimagjinueshme para tre vjetësh. Domethënë, sot që flasim, që mund të jetë nga momentet më të mira që kemi arritur, ka një vit urgjencë 24/7, dhe jemi me radhë pritje 2 javë, ndërkohë, para 3 vjetësh, ky shërbim ishte i paimagjinueshëm të përfitohej nga të gjithë pacientët, dhe radha e pritjes ka qenë 6 muaj. Sot, në shërbim të pacientëve janë 9 njësi (4 publike dhe 5 private) të cilat ofrojnë këtë shërbim, duke përfshirë këtu edhe spitalet private të cilat janë pjesë e paketave shëndetësore”, ka pohuar Ministri Beqaj, duke krahasuar me vetëm 2 njësi hemodinamike që ishin në punë në vitin 2013.

Nga ana tjetër, kreu i shëndetësisë ka bërë me dije se funksionimini për herë të parë 24/7 i shërbimit të kësaj urgjence, u ka kursyer shqiptarëve 1.6 milonë dollarë në një vit.

Nga 1 Nentori 2015 - Tetor 2016 janë realizuar:

-  784 koronarografi;

-  601 procedura angioplastike;

- 1385 procedura invazive të kryera në Urgjencën kardiake;

-  779 pacientë kanë përfituar nga ky shërbim.

Gjatë të shtunës e të dielës dhe ditëve të festave, që prej 1 Nëntorit 2015 kanë përfituar:

- 165 pacientë.

Në intervalin nga ora 3:00 pm - 08:00 am (pa të shtunë e të dielë) janë realizuar:

- 361 procedura koronarografike;

- 296 procedura angioplastike.

 

Burimet:  http://www.shendetesia.gov.al/